“Ky është fillimi i punës së vërtetë në cilësinë e një kontribuuesi të mirëfilltë, aktiv e të përgjegjshëm, në cilësinë e anëtarit të barabartë mes të barabartëve”, nënvizoi gjatë bisedës Kryetari i Shtetit. Në këtë kuadër, Presidenti i Republikës shprehu mirënjohjen për ndihmesën e vazhdueshme disavjeçare që NOS i ka dhënë ushtrisë shqiptare dhe shërbimeve të zbulimit për ngritjen, përmirësimin dhe përsosjen e sistemit të komunikimit, të sigurisë e të klasifikimit të informacionit, në përputhje me standardet e NATO-s. Në vijim të bisedës, Presidenti Topi bëri panoramë të zhvillimeve të fundit në Shqipëri dhe vuri në dukje ecurinë pozitive të reformave të rëndësishme për zhvillimin e vendit, përfshi këtu dhe reformën në fushën ushtarake. Kryetari i Shtetit shprehu bindjen se “realizimi i reformave të gjithanshme, ndërtimi i shtetit të së drejtës, konsolidimi i institucioneve të pavarura dhe perfeksionimi i standardeve do të mundësojnë përballjen me sukses me sfidat rajonale e globale që cënojnë sigurinë dhe vlerat tona të përbashkëta: terrorizmin, përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë, krimi i organizuar dhe trafiku ndërkombëtar i narkotikëve, etj.” Nga ana e tij, Drejtori për Çështjet e Sigurisë në NATO, Majkëll T. Evanof pasi e uroi edhe një herë Presidentin Topi për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si dhe për arritjet e saj, vlerësoi lart kontributin e vendit tonë në funksion të rritjes së sigurisë rajonale duke e quajtur “Shqipërinë, vend udhëheqës në Ballkan në këtë drejtim” dhe në linjën e luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar, krimit të organizuar dhe trafiqeve, si dhe bashkëpunimin shumë të vlefshëm e të frytshëm me institucionet dhe strukturat shqiptare në kuadër të Aleancës më të madhe politiko-ushtarake në botë.