SHBA – Kryeministri Berisha takohet me Emirin e Katarit

Në këtë takim Emiri Sheikh Hamad Bin Khalifa Al Thani u shpreh se ndihej i kënaqur që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Katarit po zhvillohen dhe janë në një nivel shumë të mirë. Të dy liderët shprehën vendosmërinë dhe angazhimin e tyre për të çuar përpara bashkëpunimin dypalësh. Kryeministri Berisha tha se qeveria shqiptare dhe ai personalisht do të impenjohen për forcimin e lidhjeve dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve. Kryeministri Berisha u shpreh se një fushë me interes për investitorët nga Katari, do të ishte infrastruktura, që është edhe një prioritet i qeverisë shqiptare. Modernizimi i infrastrukturës së vendit do të vazhdojë të jetë prioritet i qeverisë. Emiri Al Thani u shpreh shumë i interesuar për mundësitë që ofron Shqipëria për afrimin e kompanive të mëdha të Katarit dhe se ai do të angazhohej personalisht në suksesin e këtyre kompanive. Ai ripërsëriti faktin se komuniteti i biznesit kishte shprehur interes të veçantë për turizmin, duke qenë se 30% e popullsisë së Katarit gjatë gjithë vitit e shfrytëzonte shumë atë. Në këtë aspekt, u shpreh ai, edhe turizmi shqiptar do të përbënte një fushë me shumë interes për ta.

Advertisement