Gjatë kësaj pritje, Kryeministri Berisha pati rastin të zhvillonte një takim të shkurtër me Presidentin Obama dhe zonjën Obama. Zyra për shtyp e Kryeministrit, citoi se Berisha i shprehu Presidentit Obama kënaqësinë e tij për pjesëmarrjen në këtë pritje dhe për takimin e ngrohtë me Presidentin Obama. Nga ana e tij, Presidenti Obama e përshëndeti përzemërsisht Kryeministrin Berisha dhe u shpreh se në Cikago, ku ai kishte punuar për një kohë, kishte pasur rastin të takohej e të punonte me disa shqiptarë dhe kishte nga ta mbresat më të mira. Berisha u shpreh se të gjithë shqiptarët presin me padurim dhe me shumë kënaqësi një vizitë të Presidentit Obama në Shqipëri, në çdo kohë të mundshme për axhendën e tij. “Ju, zoti President do të gjeni kombin më miqësor ndaj kombit amerikan, ndaj vendit tuaj dhe ndaj jush dhe unë shpresoj shumë që ju të vini në vendin tim,” u shpreh Kryeministri Berisha. Presidenti Obama tha se do të shikonte me shumë kënaqësi mundësinë e një vizite në Shqipëri. Zonja Mishel Obama gjithashtu u shpreh se ajo e priti me shumë kënaqësi këtë ftesë për të vizituar Shqipërinë dhe se nga ana e saj do të nxiste bashkëshortin e saj që ta bënte këtë. Në këtë pritje të shtruar nga Presidenti Obama që zgjati rreth 2 orë, Kryeministri Berisha u takua sërish me Kryeministrin e Japonisë, me të cilin diskutoi gjerësisht mbi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe e falënderoi atë për mbështetjen e Japonisë në fusha të ndryshme si ne arsim, në bujqësi, shëndetësi, infrastrukturë etj. Kryeministri Berisha e ftoi atë të vizitonte Shqipërinë, ftesë që u pranua me kënaqësi.