Një fakt të tillë e ka bërë publik organizata “Transparency International Albania” në një raport mbi situatën aktuale të transparencës së fondeve të fushatës për zgjedhjet e 28 qershorit. Ai ngre shqetësimin se partitë politike gjenden në mungesë totale të transparencës për financimet që kanë përfituar gjatë fushatës, në një kohë kur ligji që rregullon këtë akt është i plotë. “Partitë po fshehin shpenzimet dhe financat e fushatës dhe një gjë e tillë shton dyshimet se ajo mund të jetë bërë edhe me shpenzime të paligjshme”, thuhet në deklaratën përkatëse të organizatës “Transparency International Albania”. Ajo vë në dukje se partitë politike po fshehin faturat e fushatës dhe po shkelin hapur në këtë mënyrë ligjin dhe Kushtetutën. “Mund të jetë bërë fushatë me fonde publike”, është shqetësimi tjetër që ngrihet pas mostransparencës së partive politike për fondet e fushatës elektorale. Sipas “Transparency International Albania” partitë politike duhet të publikojnë sa më parë faturat e aktiviteteve të tyre elektorale, në kuadrin e përmbushjes së kushtit për deklarimet e financimeve të secilës parti në kuadrin e zgjedhjeve në vendin tonë.


