Tiranë – Berisha publikon emrat e ministrave të qeverisë së re

Lista me emrat e ministrave do t’i dërgohet sot presidentit për dekretimin e qeverisë së re. Emrin e parë në listën e kabinetit të ri, Berisha ka publikuar z.Ilir Meta, si zv/kryeministër dhe ministër i Jashtëm. Më pas Berisha ka komunikuar me radhë emrat e ministrave të rinj të qeverisë që do të drejtojë vendin në katër vitet e ardhshme. Sipas Berishës, Bujari Nishani do të jetë në krye të ministrisë së Drejtësisë, Lulzim Basha në krye të ministrisë së Brendshme, Arben Imami në krye të ministrisë së Mbrojtjes, Ritvan Bode në krye të Financave, Dritan Prifti në krye të ministrisë së Energjetikës etj. Për herë të parë në kabinetin e tij Berisha ka shtuar dhe një portofol ministri, i quajtur ministër i shtetit në të cilin ka emëruar ish zv/kryeministrin Genc Pollo. Berisha nuk ka harruar të falenderojë ministrat që largohen por dhe ka folur me superlativa për bashkëpunëtorët e vjetër që do të vazhdojnë të qeverisin me të, duke inkurajuar dhe ministrat e rinj. Në lidhje me kërkesën e disa gazetarëve për heqjen e emrit të Fatmir Mediut nga lista e kabinetit të ri, kryeministri Berisha deklaroi se me PR ka një bashkëpunim disa vjeçar. Berisha tha se për Mediun ka një akuzë për korrupsion dhe ai është i hapur ndaj çdo vendimi të drejtësisë. Sipas Berishës asnjë nga ministrat e tij nuk ka mandat që do të thotë do të jenë të njëjtë para ligjit por paragjykimi nuk i shërben askujt. “Një akuzë e madhe që nisi dhe ra vetë nga ata që e ngritën. Z.Mediu është i hapur dhe s’do ketë asnjë pengesë t’i përgjigjet ligjit”, tha Berisha. Berisha tha se për emrat e ministrave është konsultuar me bashkëpunëtorët e tij dhe aleatët, dhe krijimi i kabinetit është fryt i një pune dy mujore intensive me negociata dhe diskutime. Kabineti i ri qeveritar: Ministria e Jashtme – Ilir Meta; Ministria e Brendshme – Lulzim Basha; Ministria e Mbrojtjes – Arben Imami; Ministria e Financës – Ritvan Bode; Ministria e Ekonomise,Tregëtisë dhe Energjitikës – Dritan Prifti; Ministria e Drejtësisë – Bujar Nishani; Ministria e Integrimit – Majlinda Bregu; Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit – Sokol Olldashi; Ministria e Arsimit dhe e Shkencës – Myqerem Tafaj; Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta – Spiro Ksera; Ministria e Shëndetësisë – Petrit Vasili; Ministria e Bujqësise, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit – Genc Ruli; Ministria e Turizmit,Kultures,Rinise dhe Sporteve – Ferdinand Xhaferri; Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave – Fatmir Mediu; Ministër shteti – Genc Pollo.