Tiranë – Dade, Berisha të shpjegojë këmbënguljen për pengimin e hapjes së kutive

“Dëshiroj të ripërsëris qëndrimin e vendosur të Partisë Socialiste për kushtet që diktojnë marrëdhënien me Kuvendin e dalë nga deformimi i vullnetit të votuesit përmes vjedhjes së votave dhe mandateve të mbetura peng në kutitë që duhen rinumëruar dhe materialet zgjedhore që duhen rishqyrtuar. Kërkesa e Partisë Socialiste është ligjore dhe konform detyrimit për transparencë ndaj publikut dhe ndaj votuesve shqiptarë, si edhe në linjë me konstatimin e vëzhguesve ndërkombëtarë që në një të tretën e zonave zgjedhore procesi i numërimit është kryer keq ose shumë keq” deklaroi Dade. Sipas saj, Sali Berisha duhet t’u shpjegojë shqiptarëve arsyen e vërtetë të këmbënguljes për të penguar hapjen e kutive e për të bërë transparencën e materialeve zgjedhore në ato zona që ne kemi kërkuar rinumërim. “Shqiptarët e meritojnë transparencën për zgjedhjet edhe si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s dhe që aspiron integrimin në Bashkimin Evropian. Vjedhja e votës, korrupsioni elektoral dhe mungesa e transparencës rreth procesit zgjedhor në Shqipëri duhet të marrë fund dhe kjo do të bëhet vetëm përmes hapjes së kutive që mbajnë peng mandatet e vërteta të të zgjedhurve nga populli” përfundoi deputetja e PS-së Arta Dade.