Tiranë – Firmoset marrëveshja PD-LSI, Meta zv/kryeministër e ministër i Jashtëm

Berisha deklaroi se pas kësaj marrëveshje në ditët në vijim do të firmoset bashkëpunimi me aleatët e tjerë të koalicionit, madje i është bërë ftesë dhe PBDNJ-së. Në fjalën e tij Berisha theksoi se qeverisja do të ketë për bazë zbatimin e programeve të dy partive kryesore në koalicionin e ri, të PD e LSI. Berisha u shpreh se koalicioni i ri 4 vjeçar do të mbajë premtimet për reformat e thella që do ta çojnë vendin drejt marrjes së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian, përfshirë këtu dhe reformën zgjedhore e cila do të ndreqë gabimet që dolën në pah gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit. Berisha garantoi se në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2011 të dyja forcat do të dalin së bashku në garë e do të fitojnë sërish për të firmosur më pas për bashkëpunimin afatgjatë. Ndërsa ka zbardhur disa pika të negociatave me LSI, duke e quajtur një forcë politike esenciale në qeveri, Berisha tha se në qeverisjen e saj, LSI do të përfaqësohet nga kryetari i saj, Ilir Meta si zv/kryeministër e ministër i Jashtëm, me postin e Ministrit të Shëndetësisë të cilin do e përfaqësojë Petrit Vasili, sekretar i Përgjithshëm i LSI, dhe ministër i Energjetikës, Dritan Prifti. Njëkohësisht kjo forcë do të mbajë dhe postin e nënkryetarit të parlamentit. Sipas Berishës, LSI do të ketë 20% të përfaqësimit në administratë si dhe përfaqësimin në qeveri me 7 zv/ministra të kabinetit. “Me zotin Meta kemi rënë dakord se s’do të ketë asnjë ndarje në shërbimin civil për tu konsoliduar më shumë shërbimi ndaj qytetarëve”, u shpreh Berisha. Më pas e mori fjalën kreu i LSI, Ilir Meta. Sipas Metës në thelb të kësaj marrëveshje do të konkretizohet dhe programi i qeverisë së ardhshme por që do të jetë më e detajuar. Meta ka shprehur kënaqësinë për mirëkuptimin që ka pasur me Berishën e përfaqësues të tjerë në lidhje me integrimin e sa më shumë personaliteteve të dy forcave politike. “Jam i kënaqur që shumë nga prioritetet tona përputhen, disa të tjera kanë gjetur një mirëkuptim të plotë, kjo është një marrëveshje që garanton stabilitet e reforma serioze që do të shpejtojnë procesin e integrimit evropian. Unë sot vetë kam theksuar që kjo marrëveshje s’do të cënojë statusin e nëpunësit civil, përveç rasteve që kemi të bëjmë me përfaqësim politik”, tha Meta. Meta theksoi se një nga pr/ligjet për moshën e tretë si një nga nismat e LSI gjatë fushatës ka gjetur mbështetjen e qeverisë dhe një vend të caktuar në programin e qeverisë së re.

Advertisement