Çështja kryesore e raportimit të Feith, bëhet e ditur paraprakisht se do të jetë ajo e vënies në dijeni të ligjvënësve evropianë mbi refuzimin kategorik që Prishtina i ka bërë nënshkrimit të mundshëm të një protokolli bashkëpunimi ndërmjet EULEX dhe Serbisë. Kjo marrëveshje është cilësuar si e domosdoshme për Serbinë, para se ajo të hyjë në zonën e bardhë të Shengenit. Nga ana e tyre, autoritetet serbe e vlerësojnë këtë marrëveshje si të domosdoshme, ndërsa ato kosovare si të pavend. Autoritetet e larta kosovare nga ana e tyre i kanë tërhequr vërejtjen EULEX-it se nuk mund të bëjë marrëveshje në emër të Kosovës. Por EULEX-i thotë se marrëveshjen me Serbinë do ta bënte në emër të tij dhe hedh poshtë pohimet se me nënshkrim të protokollit, misioni evropian po tejkalon autorizimet që ka në Kosovë.