Maqedoni – Frikë nga veto e Greqisë, ashpërsohet qëndrimi ndaj Maqedonisë për emrin

Në deklaratën për agjencinë Reuters, Miloshoski vlerësoi se Greqia po ashpërson qëndrimin ndaj Maqedonisë rreth çështjes së emrit, të cilën e shprehu edhe nëpërmjet vetos duke penguar hyrjen e fqinjit të saj verior në NATO. “Grekët po e ashpërsojnë pozicionin. Na shqetëson mundësia e ndodhjes së bllokadës së dytë greke, kësaj radhe në lidhje me përafrimin tonë në BE”, theksoi Miloshoski, i cili ndodhet në Slloveni, në konferencën rajonale kushtuar sigurisë. Maqedonia kërkesën për anëtarësim në BE e ka bërë në vitin 2005, por ende nuk i ka filluar negociatat preliminare. Komisari për Zgjerim në BE, Olli Rehn, deklaroi muajin e kaluar se ky dialog do të mund të fillonte për disa muaj, megjithëse Miloshoski ka frikë se kjo nuk do të ndodhë. “Për shkak të situatës jostabile politike në Greqi, ekziston një mundësi më e madhe që ata të vendosin për bllokadën e dytë ndaj Maqedonisë”, theksoi ai. Miloshoski njëkohësisht deklaroi se shpreson që i dërguari i OKB për kontestin greko-maqedonas, Matthew Nimetz, do të ofrojë së shpejti një zgjidhje të re për arritjen e kompromisit. “Ne në Maqedoni jemi të gatshëm që të bëjmë edhe disa përpjekje për t’u ardhur deri tek kompromisi”’, sqaroi Miloshoski.

Advertisement