Përmes një deklarate për mediat, ai ka reaguar ashpër ndaj të tilla veprimeve, të cilat sipas tij janë të dënueshme. “Duke folur në emër të Bashkimit Evropian në Kosovë, dënoj fuqishëm veprimet e dhunshme të sotme ndaj automjeteve të EULEX-it. Më lejoni të rikujtoj se EULEX-i ka ardhur në Kosovë për të punuar për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe për perspektivën evropiane të Kosovës si pjesë e rajonit”, thuhet në reagimin e Feithit. Feith gjithashtu beson se autoritetet do të zhvillojnë një hetim të plotë dhe të shpejtë të incidenteve të sotme dhe se do të vazhdojnë bashkëpunimin e plotë me EULEX-in në kryerjen e funksioneve të rëndësishme që ka.