Kështu ka deklaruar Ramë Manaj, zëvendëskryeministër i Kosovës dhe njëkohësisht sekretar i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës. “Republika e Kosovës është e gatshme dhe interesuar të ketë marrëveshje bashkëpunimi me të gjitha vendet e botës, në radhë të parë me ato të rajonit dhe me fqinjët tanë të drejtpërdrejtë. Marrëveshje të tilla të interesit reciprok duhet të ketë me të gjitha vendet mbi bazat e sovranitetit të plotë të secilit vend, të Kosovës e të vendeve fqinje, pra dhe me Serbinë”, bëri të ditur zëvendëskryeministri kosovar Manaj në një konferencë shtypi të LDK-së duke iu përgjigjur pyetjes nëse janë të gatshme institucionet e Kosovës të nënshkruajnë një marrëveshje protokollare me Serbinë. Ndër të tjera Manaj analizoi edhe qëndrimin kundërshtues lidhur me protokollin e bashkëpunimit policor të paralajmëruar për nënshkrim mes EULEX-it dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. “LDK-ja përshëndet dhe mbështet qëndrimin e presidentit dhe të kryeministrit të Kosovës, lidhur me këtë draft të një protokolli të mundshëm të cilin e ka përgatitur misioni i EULEX-it”, tha Manaj. Ndërkohë Presidenti kosovar Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, pas një takimi me Yves de Kermabon, shef i EULEX-it, deklaruan se “Institucionet legjitime të Republikës së Kosovës janë ato që marrin vendime për Prishtinën, dhe në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën do të bashkëpunojmë me të gjitha vendet e rajonit”, theksuan ata. Kermabon e kishte kërkuar këtë takim pas kundërshtimeve nga institucionet dhe opinioni kosovar të një protokolli të paralajmëruar për nënshkrim të mundshëm mes EULEX-it dhe Beogradit. Pas takimit Kermabon tha se përkundër qëndrimeve të kundërta ai do të vazhdojë të jetë në kërkim të arritjes së përafrimeve edhe me Prishtinën. “EULEX-i nuk mundet dhe nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje protokollare në emër të Kosovës”, deklaroi Kermabon.