Në mesazhin e tij urues, të publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni, Topi shprehet, “Në këtë ditë të shënuar në kalendarin islam, është dëshirë dhe kënaqësi e veçantë t’u drejtohem të gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë, kudo ndodhen, me urimet më të mira e më të përzemërta”. Përgjatë këtij muaji të bekuar, dëshmi e përkushtimit të pastër e të vërtetë ndaj fesë islame, vlerëson Presidenti Topi, dalin në pah tek ju vlerat më të rralla humane të mirësisë dhe ndihmesës, ndershmërisë dhe korrektësisë, harmonisë dhe tolerancës, dashurisë dhe sakrificës për të afërmit, të njohurit, për të gjithë njerëzit në nevojë. “Janë këto virtyte që ruajnë dhe çojnë përpara një shoqëri, e ngrenë lart dhe e mbajnë shpirtërisht dhe moralisht atë. Janë këto vlera që sjellin dhe konsolidojnë besimin e një populli tek një e ardhme e sigurtë për të gjithë kombin të bazuar në vullnetin dhe dëshirën e gjithësecilit prej nesh për të qenë bashkë në ditë të mira e të vështira, në ditë dhimbjeje dhe gëzimi, sot, nesër dhe në të tëra ditët e tjera që pasojnë, duke i bërë kështu një shërbim të madh vetes dhe brezave që do të trashëgojnë këtë pasuri të paçmuar në shekuj”, thuhet në mesazhin e Kreut të Shtetit. Presidenti vlerëson ndër të tjera se edhe në këtë ditë të shënuar, ashtu si në të gjithë festat e tjera fetare, besimtarët shqiptarë janë bashkë, pavarësisht përkatësisë fetare, për të kremtuar dhe për t’i përcjellë njëri-tjetrit fjalë të dala nga zemra për begati, mbarësi, shëndet dhe lumturi në familje e kudo.