Kodheli tha se PS merr shkas për këtë komunikim “nga një dalje rrufe në mes të vapës të Ministrit të Financave që në një media përcolli objektivat dhe prioritetet e qeverise në ikje, për qeverinë e re të votave të vjedhura të 28 qershorit, lidhur me buxhetin e vitit 2010”. Zyrtarja e PS, kujtoi faktin se “i njëjti ministër i 1996-s, që në prag të shembjes së piramidave fliste për ambicie e projekte për t’u pasur zili nga bota, me të njëjtën gjuhë, na tregoi për Shqipërinë fanar ndriçues të ekonomisë botërore, ndërkohë që duket qartë se nuk e ka idenë e pasojave që mund të vijnë nga thellimi i përditshëm i krizës ekonomike të vendit, për të cilën kjo qeveri e shpërdorimeve të mëdha nuk ka marrë asnjë masë”. Në këtë pikë, Kodheli tha se i kërkojmë këtij ministri të na përgjigjet: Pse nuk i paguan qeveria e tij firmat e ndërtimit të rrugëve prej muajsh? Pse po zhvleftësohet leku për herë të parë në historinë e këtyre 18 vjetëve në periudhën kulmore të fluksit të ardhjes së emigrantëve e turistëve? Pse anuloi të gjitha prokurimet publike për gjashtëmujorin e dytë dhe pse u boshatis arka e shtetit të shqiptarëve me shpenzimet për fushatë elektorale? Kodheli komentoi pasi shtroi këto pyetje, se “ne e dimë se ministri i piramidave nuk ka përgjigje as për këto as edhe për shumë pyetje të tjera që lindin nga kriza e rëndë ekonomike ku po zhytet vendi, të cilat do t’i bëjmë publike vijimësisht”. “Por, një gjë është e sigurt sot, – vijoi Kodheli: Pushteti i korruptuar dhe korruptues që me votat e grabitura të 28 qershorit do t’i japë jetë së shpejti qeverisë së fundit të politikës së vjetër, po e zhyt Shqipërinë drejt një krize të jashtëzakonshme vetëm për hir të interesave e të përfitimeve të një grushti njerëzish, të cilët për pushtetin janë gati të bëjnë edhe martesa si ajo e Sali Berishës me Ilir Metën”.

Advertisement