Tiranë – Kisha Katolike deklaratë kundër propozimit për martesat e homoseksualëve

Nëpërmjet një deklarate të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Kisha Katolike shprehet se nuk mund të jetë e drejtë një sjellje që nuk i përket natyrës së njeriut. “Gjatë ditëve të fundit kemi dëgjuar për mundësinë që Kuvendi të diskutojë dhe ndoshta ta miratojë ligjin për të ashtuquajturën “martesë” mes homoseksualëve. Ne ipeshkvijtë e Kishës Katolike në Shqipëri, nuk mund të heshtim përpara një diskutimi të tillë, të shtyrë jo vetëm nga besimi ynë i krishterë, por edhe nga angazhimi ynë për një shoqëri të fortë e të shëndoshë” thuhet në deklaratën e lëshuar nga Kisha Katolike. Duke theksuar se Shteti ashtu sikurse dhe Kisha ka për detyrë të mbrojë dinjitetin e jetës martesore dhe të familjes, Kisha Katolike rikujton se Bibla flet për bashkimin e mashkullit me femrën dhe asnjë parlament nuk mund ta ndryshojë këtë fakt. “Në faqet e para të Biblës ku flitet për krijimin, lexojmë se Zoti “e krijoi njeriun në përngjasimin e vet, e krijoi në përngjasimin e Hyjit, i krijoi mashkull e femër. Në çdo kohë, në çdo kulturë, dhe në çdo besim martesa ka qenë përkufizuar si bashkim i plotë mes burrit dhe gruas. Asnjë parlament nuk ka kompetencë të ndryshojë këtë përkufizim. Atëherë, në sajë të së vërtetës, të mos guxojmë ta quajmë “martesë” një bashkim mes dy personave të së njëjtës gjinie as të themi se kjo është një e drejtë” thuhet në deklaratë. Ndërkohë Kisha kërkon të evitohet cdo shenjë diskriminuese ndaj homoseksualëve por rithekson se veprimet e tyre konsiderohen të crregullta. Në deklaratë u bëhet thirrje përfaqësuesve të parlamentit të mos konsiderojnë cdo risi si përparim. “Mos gabojmë duke menduar se, me miratimin e një ligji në favor të “martesës” mes të njëjtës gjini, do të dalim para botës si një vend i përparuar. Prandaj le të mbrojmë vlerat etike që garantojnë një familje të fortë, dhe atëherë do të kemi edhe një shoqëri të shëndoshë” thekson deklarata. Kreu i qeverisë Sali Berisha tha disa ditë më parë se projektligji që e lejon martesën mes homoseksualëve ka ardhur si propozim i shoqërisë civile. Vetë, i gatshëm për ti thënë po këtij ligji në parlamentin e ri, Berisha tha se në këtë mënyrë shoqëria shqiptare zhduk diskriminimin për këtë pakicë njerëzish. Ndërkohë Komunitetet fetare kanë dalë kundër këtij ligji duke bërë thirrje të mos cënohet familja dhe vlerat e saj.

Advertisement