Sipas Postës Shqiptare, deri tani janë shitur rreth 1 milionë e 309 mijë e 792 kuponë për letërnjoftimet elektronike, dhe 61.622 kuponë për pasaportat biometrike. Drejtoresha e Postës Shqiptare për Tiranën, Pranvera Lalaj, thotë se gjatë këtyre dy muajve të fundit tërhiqen në ditë nga sportelet e postës rreth 500 kuponë për pasaportat biometrike. “Në krahasim me fillimin shohim që ka një fluks të madh shitjesh kuponësh për pasaporta. Ndërsa fillimisht kemi pasur rreth 100 kuponë për pasaporta në ditë, tani ka arritur në 500-600 në ditë me ardhjen e emigrantëve”, u shpreh Lalaj, drejtoreshë e Postës Shqiptare për Tiranën. Ajo thotë se numri i kuponëve të shitur për kryeqytetin është rritur ndjeshëm, ndërkohë që për të përballuar këtë fluks janë shtuar dhe sportele në komuna e fshatra. “Shërbehet pothuajse në të gjitha zyrat postare të qytetit dhe të fshatit, ku fillimisht kanë qenë vetëm zyrat postare të qytetit të Tiranës dhe të Kavajës, tani është në të gjitha fshatrat”, u shpreh Lalaj.