Seanca e sotme parlamentare pritet të ketë diskutime të shumta. Sërish është mbartur për votim projektligji “Për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë” që lidhet me reformën në drejtësi dhe që kërkon 84 vota për tu miratuar. Burime nga Partia Demokratike konfirmojnë se deputetët e opozitës do të qëndrojnë në Kuvend vetëm për debatet, ndërsa nuk do të marrin pjesë në votim. Po në seancën e sotme pritet të votohet edhe për kreun e ri të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, post për të cilin garojnë Denar Biba dhe Koli Bele. Zgjedhja e kreut të KQZ-së bëhet me shumicë të thjeshtë, me 71 vota. Por diskutime do të ketë edhe lidhur me replikat e ditëve të fundit mes Tiranës e Athinës pasi kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar që një ditë më parë se në seancën e sotme do t’i japë përgjigje fqinjit tonë, Greqisë, për të gjitha diskutimet e ditëve të fundit.