Flet për herë të parë kryegjyqtari Guximtar Boçi

Publikimi i skandalit që përfshinte Kryetarin e Gjykatës së Gjirokastrës, në emisionin “Stop”, u bë kur po zhvillohej ceremonia e martesës së vajzës së madhe të tij. Mësohet se ceremonia nisi rreth orës 16:00 deri rreth orës 20:30, në qytetin e Gjirokastrës. Paraprakisht, në një reagim të shkurtër për “Panoramën”, Guximtar Boçi ka mohuar ta ketë kontaktuar ndonjëherë gruan që ka kryer denoncimin pranë emisionit investigativ dhe se e hedh poshtë me neveri një bisedë të tillë. Ai deklaroi se do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore. Në ceremoninë e mbajtur dje ishin të ftuar kolegë të gjyqtarit, si dhe të vajzës së tij, e cila është me detyrë shefe finance në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës. Por mësohet se ata nuk kanë shkuar pasi kishin dijeni për çështjen në fjalë. Guximtar Boçi është gjyqtar prej rreth 20 vitesh, ndërsa prej tri vitesh u emërua kreu i Gjykatës së Shkallës së Parë në qytetin e Gjirokastrës. Pas publikimit të skandalit, ministri i drejtësisë Manjani deklaroi se do t’i kërkojë KLD-së shkarkimin si gjyqtar të Guximtar Boçit.

Advertisement