Tiranë – Berisha, opozita nuk mund të provokojë zgjedhje të parakohshme

Në një intervistë për radion Europa e Lirë Berisha ka thënë se kërkesa e opozitës për zgjedhje të parakohshme është një kërkesë e natyrshme dhe se zgjedhjet e parakohshme realizohen në sistemet demokratike nëpërmjet mocioneve. Sipas Berishës, opozita do të përdorë mocionin dhe kjo është në të drejtën e saj por gradualisht do ta kuptojë që provokimi i zgjedhjeve të parakohshme është një pamundësi, në një mënyrë, në rrafshin kushtetues, “pasi siç dihet, Kushtetuta sigurisht që ka Parlamentin, institucionin më kryesor të vendit, por edhe kryeministrit i ka dhënë mbrojtjen e nevojshme që të mund të qeverisë” është shprehur Berisha. “Në këtë kontekst, kjo mbetet një aspiratë për opozitën, por unë mbetem i hapur që të bashkëpunoj me opozitën. Pavarësisht nga kërkesa e saj për zgjedhje të parakohshme, unë e garantoj opozitën se do të bëj çdo përpjekje që të procedojmë së bashku për reforma të mëdha, që nevojiten për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian” theksoi kreu i qeverisë. Gjithashtu shefi i mazhorancës është deklaruar përsëri në favor të ndryshimit të Kodit Zgjedhor dhe dhënies së një komisioneri forcës së tretë politike të vendit, që është LSI. “Ne do të luftojmë që të mbajmë 84 vota, të ndryshojmë kodin në interesin më të mirë të stabilitetit të vendit” ka nënvizuar kryeministri Berisha në intervistën e tij.

Advertisement