Presidenti Bujar Nishani ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për mbetjet. Në arsyetimin e dhënë prej Presidentit, shkruhet se ligji është në kundërshtim me direktivat e Komisionit Europian, sipas të cilit duhet të zbatohet parimi i “vetëmjaftueshmërisë dhe afërsisë” dhe për më tepër nuk është një detyrim që rrjedh nga Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit apo ndonjë marrëveshje tjetër ndërkombëtare të ratifikuar nga Republika e Shqipërisë. Gjithashtu, ligji bie ndesh me nenin 59 të Kushtetutës, shkruan Presidenti, dhe se procedurat e ndjekura në miratimin e ligjit kanë qenë të përshpejtuara, në mungesë informacioni, transparence dhe pjesëmarrje të qytetarëve.