Blushi largohet nga PS, Balla: Le të ecë Beni vetë

Deputeti Ben Blushi dhe deputetja Mimoza Hafizi janë larguar zyrtarisht nga grupi i Partisë Socialiste. Gjatë fjalës së tij në seancë parlamentare, Blushi akuzoi Partinë Socialiste se është kthyer në një ndërmarrje private, nga e cila ai dhe Hafizi po largohen me vullnet të lirë. “Ne kemi vendosur të largohemi nga një grup politik që nuk pranon të zgjedhë. Për të kujtuar këtu se Rilindja vendosi që në Partinë Socialiste të mos kishte më zgjedhje, dhe Rilindja vendosi të zgjedhë me referendum atë që do e trajtonte si një cështje dhe jo një njeri. Unë dhe znj. Hafizi nuk jemi as të parët e as të fundit. Dalim me vullnet të lirë nga një ndërmarrje private që ka vendosur që përmes pasurisë nuk respekton asnjë normë tjetër. Vendosem t’i bashkohemi mijëra shqiptarëve të tjerë që besojmë se vendi ka nevojë për politik të re”, deklaroi Blushi në foltoren e Kuvendit.
Përkundër kësaj deklarate, deputeti socialist Taulant Balla i ka kërkuar Blushit të kthejë mandatin pasi sipas tij ai i ka braktisur socialistët në të gjitha betejat.
“Dy deputetë të PS me dëshirën e tyre vendosin të largohen nga gupi ynë parlametnar dhe unë në emrin tonë i uroj punë të mabrë. Keni vendosur të ikni, rrugë të mbarë po t’i që fole këtu nuk u solle kurrë si socialist. Ke për detyrë që mandatin ta respektosh deri në fund. Nuk e ke mandatin tënd, mandatin tënd merre vetë, mandatin ose kthejua ose mos e mbaj pandershmërisht. Ti ke braktisur socialistët në të gjitha betejat. Ne nuk të heqim sot, ike vetë, le të eci Beni vetë, të provojë se sa të duan dhe të respektojnë shqiptarët. Kërkojmë të kthesh mandatin”, tha Balla.
Nga ana e tij, Blushi ka reaguar duke thënë: “Në kushte normale do ua kisha dhënë mandatin, nëse do të besoja se do të vlente për ndonjë gjë. Por kujt t’ia japim këtë mandat? Elvis Roshit, Armandos, apo Arben Ndokës? Kujt t’ia dorëzoj mandatin Taulant? Ju po qeverisni me dy parti që ishin me Saliun, që sot janë me ju por që nesër mund të jenë sërish me Saliun. 21 janari? I vrau Saliu, thoni ju. Por nuk thoni që i çuat ju në pritë. Kush e ka bërë këtë Taulant? Kam qenë kundër jush që atëherë dhe nuk mund të jem më me ju sot. Ju përçmoj”, ka thënë Blushi.

Advertisement