Rilindja Urbane në Librazhd

Rilindja Urbane ka prekur edhe qytetin e Librazhdit ku po punohet në qëndrën e qytetit por edhe në lagjet e tij. Kryeministri Edi Rama ka inspektuar punimet duke e cilësuar këtë një proces të pandalshëm që do të shtrihet nga qendra drejt periferisë dhe njësive administrative. “Ky është një rezultat konkret i punës së mirëmenduar, jo vetëm projekte, por projekte me një strategji të qartë për t’u shtrirë nga qendra drejt periferisë dhe nga çdo periferi drejt njësive administrative. Unë e kam shumë të qartë që këtu ka akoma shumë nevoja, por është e rëndësishme që të gjithë njerëzit duhet të kuptojnë që ky është një proces i pandalshëm dhe shumë i shëndetshëm i zhvillimit urban. Përmirësimi i cilësisë si nata me ditën i hapësirës publike në qytetin bazë të bashkive të reja është një mesazh shumë i qartë për çdo banor të bashkive në fshatin më të largët. Nga ana tjetër është e vetmja mundësi për të krijuar komunitet, bashkëjetesë, sens përkatësie dhe për t’u shkëputur psikologjikisht nga ndarja dhe izolimi në shumë copa, me 400 komuna e me 400 mijë plagë që në vend që të kuroheshin vetëm u agravuan dhe u infektuan,” – u shpreh Kryeministri. Transformimi urban po shoqërohet edhe me rritje të aktivitetit të biznesit aty ku është ndërhyrë. “Ajo që njerëzit nganjëherë nuk e perceptojnë për shkak të propagandë së kazanit është që kjo lloj qasje sjell rritje të ekonomisë lokale, sepse sjell rritje të dëshirës për të bërë biznes të vogël, sjell rritje të dëshirës për të konsumuar dhe patjetër edhe rritje të vetëpunësimit, ose të punësimit të vogël,” – nënvizoi Kryeministri. Qëndra e qytetit dhe lagjet ku ndër të tjera po prishen edhe ndërtimet pa leje po pësojnë ndryshim rrënjësor.”Është ridimensionuar i gjithë sheshi, madje çfarë ka qenë nuk ka lidhje fare më. Ndriçimi, gjelbërimi është bërë nga e para, pllakat e gurit janë të vendosur nga fillimi,” – tha kryetari i bashkisë. “Këtu na është dashur të prishim disa ndërtime pa leje, shtesa, gardhe, që kryesisht janë prishur me mbështetjen e banorëve të pallatit, të cilët i kanë hequr vetë këto ndërtime pa leje dhe pastaj kemi përfituar këto hapësira që janë të përbashkëta për të gjithë banorët e lagjes. Të gjitha bizneset këtu janë bërë atraktive nga momenti që është investuar në lagje. Gjithë vlera e pronës është ridimensionuar, duke u rritur më shumë,” – u shpreh kryetari i bashkisë. Rikonstruksionit i është nënshtruar edhe kopshti i fëmijëve, i cili tashmë, siguron për të vegjlit standardet më të mira. Po ashtu ka nisur rikualifikimi urban i hyrjes së qytetit.

Advertisement