“Vendimi i qeverisë për rritjen e akcizës me 10 lekë për paketë, pas rritjes së fundit prej 15 lekë për paketë në vitin 2006, është një vendim në drejtimin e duhur”, është shprehur drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli. Sipas tij, kjo është një nga strategjitë më efikase në parandalimin e duhanpirjes në çdo popullatë, por ka shtuar se efektet e vendimit me ndikim në uljen e nivelit të duhanpirjes në Shqipëri, do të shihen vetëm pas një viti. Drejtori i ISHP-së shprehet më tej se çmimi i një pakete duhani do të vijë duke u rritur nga viti në vit, derisa të arrijë nivelet e vendeve të tjera të rajonit. Duhanpirja në Shqipëri vlerësohet në shifra më të larta se në vendet e Bashkimit Europian, pasi të dhënat tregojnë se ky fenomen është në nivelin 39%, kundrejt 28.6 % të vendeve të BE-së. Sipas të dhënave, duhanpirja vlerësohet më e lartë tek meshkujt sesa tek femrat, përkatësisht 60% kundrejt 18%, por megjithatë, vihet re një tendencë rritjeje tek këto të fundit. Në Shqipëri, rreth 81% e duhanpirësve fillojnë të pinë duhan para moshës 18 vjeç. Sipas të dhënave të OBSH, në Shqipëri, në çdo katër persona duhanpirës, në tre prej tyre prindi (babai) ka pirë duhan, gjë që tregon efektin tek më të vegjlit.