Vepra më e madhe energjetike e vendit tonë, HEC Banja, është vënë në punë teksa Gramshi ka përfituar prej këtij investimi edhe rrugën e re, Banjë-Gramsh. Të pranishëm në ceremoni kanë qenë kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri. Kreu i qeverisë tha se ky është një moment historik që e ka cliruar këtë zonë nga izolimi. “Hidrocentrali i Banjës është vepra e madhe e përfunduar në kaskadën e Devollit, ku u punësuan deri në 2000 mijë punonjës. Një sipërfaqe e barabartë me 2000 fusha futbolli”, ka thënë Rama. Për kryeministrin Rama ky është shembulli më i mirë i bashkëpunimit mes interesit privat dhe përfitimit të komunitetit. “Kjo vepër është një shembull fantastik se në njërën anë interesi privat prodhon energji dhe një komunitet i tërë përfiton një cilësi të re jete. Vetëm në këtë zonë janë përfunduar dhe janë drejt përfundimit afro 100 km rrugë të reja. E theksoi këtë për ata që mendojnë se nuk ka pasur rrugë të reja gjatë kësaj periudhe. Është ndërtuar ura më e gjatë në Shqipëri, 520 metra në këtë aks rrugor. Janë evituar një herë e përgjithmonë rreziqet nga përmbytjet. Janë ndërtuar dy ujësjellës të rinj, për bashkinë e Gramshit dhe të Cërrikut. Gramshi nga Tirana është më pak se 90 minuta, ndërsa deri dje duheshin afro 3 orë”, tha Rama. Nga ana e tij, ministri i energjisë Gjiknuri tha se falë reformës së qeverisë në sektorin energjetik është e mundur qëndrueshmëria e investimeve. Ndërtimi i HEC Banja ka nisur në Qershor të vitit 2013 ku janë punësuar më shumë se 2000 punëtorë. Statkraft po ndërton aktualisht edhe hidrocentralin e dytë, atë të Moglicës që pritet të përfundojë në vitin 2018. Investimi i deritanishëm ka arritur në 289 milion euro ndërsa investimi total në përfundim të projektit do të shkojë në 535 milion euro. Me përfundimin e dy hidrocentraleve të këtij projekti pritet të mbulohet rreth 17% e nevojës së vendit për energji.