Blushi: “Mbetjet”, ligj i sponsorizuar nga biznesi

Deputeti Ben Blushi, duke marrë fjalën në Parlament ka akuzuar mazhorancën se ka sjellë për të votuar një ligj të sponsorizuar, duke iu referuar atij të mbetjeve.
“Ky është një ligj i blerë e i sponsorizuar që nuk vjen për shkak të vullnetit për të hapur vende pune, apo për të nxitur industrinë e riciklimit. Rilindja në 3 vjet ndërtoi tregun e ligjeve. Një ligj sot mund të blihet dhe vjen në Parlament e votohet. Nëse je biznesmen e blen, nëse nuk ke para, jo”, ka deklaruar Blushi.
Ish-deputeti socialist ka akuzuar ish-kolegët e tij të mazhorancës, por edhe ata të opozitës, se duke hequr kufizimin e helmeve që do të hyjnë në vend do të shkatërrojnë shëndetin e qytetarëve.
“Me helmet që do të vijnë në Shqipëri a e dini çfarë merrni përsipër ju që qeshni sot, edhe ju të opozitës? Po helmoni shëndetin e shoqërisë. Sa vatra kanceri do të hapen në Shqipëri? Sa fëmijë si Arditi i Sharrës do të punojnë atje? Fëmijië të sëmurë ose të vrarë, për fat të keq. Sepse fëmijët e të varfërve do të mbledhin këto mbetje për t’i ricikluar, siç thoni ju”, ka thënë Blushi.
Ai ka theksuar se, ky ligj nuk ka arsye as industriale e as morale, “por vetëm arsye tregu dhe Rilindja këtë nuk e fsheh më”.
“Nuk foli askush nga ju për shëndetin, por vetëm për industrinë. Përfaqësuesit e kujt jeni ju? Sigurisht që jeni të biznesit. Ky është vendi më i ndotur i Europës dhe ju keni ndërmend ta mbysni me plehra. Bilancin po e rëndojmë më shumë duke hequr kufijtë e helmeve që do të hyjnë në Shqipëri. Ky është një manual se si të jetoni në kazane plehrash. Ju do ta votoni këtë ligj si robotë, sepse nuk keni ndërgjegje”, ka thënë Blushi.

Advertisement