Sipas agjensisë së lajmeve BBC, angazhimi i zotit Solana në Maqedoni ka qenë i shpeshtë prej disa vjetësh, edhe si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, por edhe si zyrtar i lartë i BE-së. “Në ditët në vazhdim do të keni lajme të mira. Kjo do të ndihmojë njerëzit të vendit tuaj, sidomos të rinjtë që të lëvizin më lehtë në vendet e BE-së,” tha Solana Përsa i përket çështjes së emrit me Greqinë, ai tha se pas takimeve të fundit që kishte pasur ndërmjetësi i OKB-së në Shkup dhe Athinë, po shfaqej një mundësi për gjetjen e zgjidhjes që duhej shfrytëzuar. Z. Solana kërkoi nga qeveria një angazhim edhe më të madh për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, për të cilën siç u shpreh “e kishte pranë zemrës”. Ai gjithashtu bëri thirrje për angazhimin e vendit në zbatimin e reformave që të afrohej drejt BE-së. Gjatë qëndrimit të tij në Shkup, z. Solana veç me kryeministrin Nikolai Gruevski, u takua edhe krerët e dy partime të tjera, Ali Ahmetin e BDI-së dhe Branko Cërvenkovskin e LSDM-së në opozitë.