Kosovë – Zgjedhjet lokale, në garë 40 parti

Në mbledhjen e KQZ-së është miratuar vendimi që zyrtarët komunal të zgjedhjeve të riemërohen në zyrtarë të lartë komunal të zgjedhjeve ndërkaq edhe përkundër kundërshtimeve të dy anëtarëve të KQZ-së është miratuar Drafti i strategjisë për informim publik për zgjedhjet 2009. Në mbledhjen e rregullt të Komisionit Qendror Zgjedhor, kryetarja e komisionit, Nesrin Lushta ka bërë të ditur se ka kërkuar nga përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe USAID-it që të vëzhgojnë zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen në nëntor të këtij viti. Ndërsa kryesuesja e Zyrës për regjistrimin e partive politike, Miradije Mavriqi ka thënë se rreth 40 parti politike kanë aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e nëntorit. “Në zgjedhjet e nëntorit nga lista që kam këtu do të marrin pjesë, 19 parti politike shqiptare, 6 serbe, 7 parti politike boshnjake, 1 turke, 1 gorane, 1 egjiptiane, 1 rome, 2 parti politike ashkaliane, 1 parti malazeze dhe është kandiduar një kandidat i pavarur për kryetar të komunës së Obiliqit i cili është Aziz Bici” , tha Mavriqi. Ndryshe është bërë e ditur se Partia Nacional Demokratike nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, kurse do të marrë pjesë Koalicioni Vakat i përbërë nga 3 parti politike boshnjake. Përsa i përket komunave u njoftua se për garën e kryetarit të Prizrenit vetëm se është formuar koalicioni i parë i përbërë nga LDD, BSDAK dhe Balli Kombëtar. Anëtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor kanë miratuar në parim rekomandimin e këshillit për personel për riemërimin e zyrtarëve komunal të zgjedhjeve. Ndryshe edhe përkundër kundërshtimit të dy anëtarëve të KQZ-së u miratua strategjia për informimin publik të prezantuar nga Këshilli për operacione zgjedhore.

Advertisement