Përmes një deklarate për shtyp me anë të zëdhënëses së partisë, Ina Zhupa, Partia Demokratike ka vijuar me sulmin ndaj kryeministrit Rama për atë që e konsiderojnë si “aferë” në lidhje me prishjen e stadiumit.
Sipas PD-së, qëllimi i vetëm i kryeministrit që shkatërron e prish pa i interesuar asgjë, bëhet me qëllim vënien në funksion sa më të shpejtë të planit të tij klientelist me ish-stadiumin, një plan, që sipas PD-së, i jep atij dhe ortakëve të tij pronësi të përjetshme të tokës publike në zonën më të shtrenjtë të vendit.
“Kësaj radhe shkatërroi monumentin e kulturës, siç ishte fasada e stadiumit ‘Qemal Stafa’, duke e cilësuar atë si një gjë pa vlerë, ndërkohë që ishte monument kulture, pjesë e një ansambli, e monument kulturor që duhej të ishte ruajtur aty ku ishte dhe ashtu siç ishte. Por Ramës i dukej e shëmtuar dhe vepër për tutkunët. Tashmë ka ngelur vetëm të shkatërrojmë kalatë, nëse nuk i përgjigjen shijeve të Ramës dhe ato të ndërtohen moderne nga Carapuli, Eftimi dhe Casamonti, me paratë e shqiptarëve dhe prona sigurisht t’iu kaloj atyre përjetësisht”, është shprehur Ina Zhupa.
Duke e krahasuar shkatërrimin e këtij monumenti kulture në mënyrë brutale, e që siç thonë demokratët, të ngjashme me mënyrën sesi ISIS shkatërroi Palmirën në Siri, Zhupa vijon:
“Të gjithë e kemi parë si punohej aty, fotot e nxjerra flasin vet. Me ketë gjest, ai ka shkelur Kartën shqiptare të Restaurimeve. Në nenin 5, për ndërhyrjet e ndaluara; në nenin 7, për masat paraprake të ndërhyrjes; dhe në shtojcën b, për mënyrën e ndërhyrjes. Aty është punuar me fadroma, ndërkohë që duhej punë e pastër me çekiç e me rregulla të qarta, për të ruajtur vlerat e monumentit”, tha zëdhënësja e PD-së.