RIO 2016, Evangjeli Veli, e 8-ta në botë

Evangjeli Veli është renditur e 8-ta në botë në peshëngritje, në kategorinë e peshës trupore deri në 53 kg, që i zhvilloi garat të dielën. Ndonëse ishte e fundit e shtuar në listën e pjesëmarrësve në delegacionin olimpik shqiptar në Lojërat e 31-ta Olimpike, që po mbahen në Rio, Veli ka qenë sportistja e parë e kuqezi që ka garuar në Brazil. Në fakt, Veli është përfshirë në çastet e fundit në delegacionin kuqezi, falë problemeve me dopingun të peshëngritjes ruse, madje duke mos arritur të parakalonte në ceremoninë e hapjes. Veli ka garuar në kategorinë e peshës trupore deri në 53 kg, duke i ngritur me sukses të 3 provat në shkëputje. Ajo e ka nisur me 68 kg, në provën e parë, duke ngritur 72 kg në atë të dytën dhe duke e mbyllur me 75 kg në të 3-tën. Me 75 kg, ajo është renditur e dyta në stilin e shkëputjes, ndërsa në atë të shtytjes, ajo ka kryer me sukses vetëm një provë, atë të dytën. Pasi ka dështuar me 88 kg në provën e parë, ajo ka ngritur me sukses 90 kg në të dytën, duke vijuar të dështojë me 96 kg në të 3-tën. Me 90 kg, ajo ka marrë vendin e dytë edhe në stilin e shtytjes, ndërsa me 165 kg në total, ka marrë vendin e dytë edhe në dygarësh. Një paraqitje mjaft e mirë e peshëngritëses shqiptare në grupin B, por, përsa i përket renditjes përfundimtare, në përfundim edhe të grupit A, që e ka zhvilluar garën të dielën në mbrëmje vonë, Veli është renditur e 8-ta midis 13 sportisteve pjesëmarrëse në dygarësh.

Advertisement