Tiranë – KQZ miraton shpërndarjen e mandateve për Korcën, Gjirokastrën e Kukësin

Sipas vendimeve, 12 mandatet e Qarku të Korçës ndahen në mënyrë të barabartë mes dy koalicioneve; 6 i takojnë koalicionit të djathtë “Aleanca e ndryshimit’ dhe 6 koalicionit të majtë “Bashkimi për ndryshim”. Për Qarkun e Gjirokastrës shpërndarja e mandateve, sipas vendimit të KQZ-së, është: koalicioni “Aleanca e ndryshimit” 2 mandate dhe koalicioni “Bashkimi për ndryshim” 3 mandate. Ndërsa për Qarkun e Kukësit nga katër mandate, tre i takojnë koalicionit të djathtë “Aleanca e ndryshimit’ dhe 1 koalicionit të majtë “Bashkimi për ndryshim”. Në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit në Qarkun e Korçës ishin regjistruar 264.492 zgjedhës, ndërsa funksionuan 421 qendra votimi, të grupuara në 7 KZAZ. Në Qarkun e Gjirokastrës figuronin 121.683 zgjedhës të regjistruar në listat e votimit, ndërsa u ngritën 285 qendra votimi, të grupuara në 3 KZAZ. Ndërsa në Qarkun e Kukësit u thirrën për të votuar 72.941 zgjedhës, ndërsa funksionuan 217 qendra votimi, të grupuara në 3 KZAZ. Sipas të dhënave paraprake të KQZ-së, Kukësi ishte qarku me pjesëmarrjen më të lartë në votime me 59.07% të zgjedhësve. Kodi Zgjedhor (neni 162) parashikon që jo më vonë se tre ditë nga përfundimi i procesit të ankimimit kundër vendimit të rezultateve të zonës zgjedhore apo pavlefshmërisë së zgjedhjeve, KQZ përllogarit shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, bazuar mbi numrin e votave të vlefshme që subjektet kanë marrë në nivel zone zgjedhore. Sipas Kodit, nga shpërndarja e mandateve përjashtohen partitë politike që konkurrojnë më vete dhe që kanë marrë më pak se 3 % dhe koalicionet që kanë marrë më pak se 5% të votave të vlefshme në zonën zgjedhore përkatëse. Po sot, KQZ miratoi me 4 vota pro dhe 3 kunder tabelen permbyllese te rezultateve per qarkun e Vlores, ndersa shtyn per disa ore mbledhjen per miratimin e tabelave per qarkun e Lezhes. Miratimi i këtyre tabelave shënon dhe përmbylljen e rezultateve përfundimtare për të 12 qarqet e vendit.