Ambasadori amerikan Donald Lu ka zhvilluar paraditen e sotme një takim me qytetarë të Tiranës, të cilët i kanë shprehur atij dëshirën për miratimin e reformës në drejtësi, me argumentin se politika nuk mund t’i mbajë peng ata.
Nga ana e tij, Lu ka bërë me dije se, dje, pas takimit të shkurtër, ekspertët u takuan deri në orën 2 të mëngjesir, por pa arritur një marrëveshje.
“Pas 18 muaj negociata, disa prej tyre treguan se nuk duan marrëveshje. Rama u dorëzua, dha atë që donte Basha, 6 me 6, por edhe kjo nuk mjaftoi”, ka thënë Lu, i cili e ka kritikuar për qëndrim të dyfishtë liderin e opozitës.
“Ata s’mund të pranojnë që të huajt të bëjnë vlerësime, kjo është e çuditshme! Më 19 maj Basha na tha se të huajt do ta pastronin peshkun nga koka, ua tha këtë edhe deputetëve të PE. Tani papritur ndryshon qëndrim”, ka komentuar Lu.
Ambasadori amerikan ka nënvizuar se, tani është koha për vendim dhe ka paralajmëruar me “pasoja negative” nga SHBA për ata që votojnë kundër.
“Unë po iu dorëzoj partive detajet specifike për këto pasoja. Ato do të jenë të rënda dhe afatgjata”, ka paralajmëruar Lu.
Diplomati amerikan ka shtuar se, në ditët e fundit është takuar me deputetë që i kanë për zemër interesat e Shqipërisë. “A do kenë kurajo të votojnë? Apo do të votojnë nga frika e udhëheqësit politik”, është shprehur Lu.