Kosovë – Opozita bojkoton fjalimin e presidentit Sejdiu

Opozita e ka arsyetuar këtë bojkot me, shkeljet që presidenti Sejdiu i ka bërë Kushtetutës së Kosovës me mbajtjen e dy posteve, si dhe në shenjë revolte për mospërfilljen e opozitës në rastin e caktimit të datës së zgjedhjeve lokale. Këtyre kritikave, Sejdiu u është përgjigjur duke thënë se ai në asnjë rast nuk ka shkelur Kushtetutën, kurse vendimin për zgjedhje, siç tha presidenti, e ka marrë në konsultim të plotë me të gjitha subjektet politike. “E para, unë nuk e kam shkelur Kushtetutën. Unë e mbaj pozicionin e presidentit të vendit ashtu si jam zgjedhur në Parlamentin e Republikës së Kosovës dhe natyrisht kam të pezulluar ushtrimin e funksionit të një posti politik. Dhe, Kushtetuta shumë e qartë është në atë drejtim dhe unë i përmbahem asaj shkrese, norme që është decizive”. Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, tha se AAK-ja dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë bojkotuan seancën në momentin kur Sejdiu u është drejtuar deputetëve, pasi presidenti, sipas Gjinit, është shndërruar në vegël politike të kryeministrit Hashim Thaçi dhe si i tillë edhe po bën shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës së Kosovës. “Nuk ka treguar vullnet për të dëgjuar dhe bashkëpunuar me opozitën, është vonuar me fjalën e tij dhe arsye të tjera që ndërlidhen me vetë funksionimin e institucionit të presidentit, i cili është shndërruar në president të pushtetit dhe jo president të Kosovës”.