Dënimi për armët, Manjani: Vetëm ata që janë në gjykim do përfitojnë

Ylli Manjani
Në Komisionin e Sigurisë është diskutuar sot ligji për armët, ku Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka thënë se, nga ndryshimi i ligjit për dënimin, do të përfitojnë vetëm ata që janë në proces gjykimi dhe jo ata që tashmë e kanë një vendim konkret.
Ndërkohë, sa i përket ndryshimeve ligjore të nenit në fjalë, Manjani ka theksuare se ai është riformulim në frymë të Kushtetueses.
Ai ka shtuar se, ligji për armët ishte absurd, pasi armëmbajtja dënohej si terrorizmi, ndërkohë që ka theksuar se ka vakuum në Kodin Penal.
“Ligji për armët ishte absurd, pasi armëmbajtja dënohej si terrorizmi. Ka vakum në Kodin Penal për armëmbajtjen pa leje. Riformulim të nenit në frymën e vendimit të Kushtetueses. Gjithkush dënohet sipas ligjit të kohës. Nga ligji i ri përfitojnë vetëm ata që janë në proces gjykimi, jo ata që kanë një vendim të formës së prerë” tha Manjani.
Për ligjin e armëve,  Gjykata Kushtetuese e pati rrëzuar më herët nenin për ashpërsimin e dënimit të armëmbajtjes pa leje, ndërkohë që sipas deputetit Luan Rama gjatë mandatit të qeverisë Rama-Meta është ndërhyrë 17 herë në Kodin penal, çka tregon mungesë vizioni.
“Është e 17 ndërhyrje në Kodin Penal gjatë 3 viteve të koalicionit tonë. Kjo tregon mungesë vizioni. Jemi gjetur dhe para precedentëve anti kushtetues në ndryshime në kodin penal. Shpesh i kanë sjellë ministri të tjera, pa kaluar sipas Kushtetutës në Ministri të Drejtësisë” tha Rama.
Sakaq, kreu i këtij komisioni, Spartak Braho ka shtuar se, i duhet kërkuar presidentit të Republikës falje për personat që janë dënuar sipas dispozitave të ashpra të këtij ligji.
“Kërkojini Presidentit falje dënimi për personat që janë dënuar sipas dispozitave të ashpra të këtij ligji. Nuk ka sens të qëndrojnë në burg” tha ai.

Advertisement