Gjirokastra dhe Saranda me maternitete të rikonstruktuara

Një godinë krejt e re dhe moderne e maternitetit në Gjirokastër i jep fund një situate absurde, që  i kishte shtrënguar shumë nëna t’i sillnin fëmijët në jetë në Tiranë ose në spitale të tjera. Një investim prej 1.5 milionë dollarë i Ministrisë së Shëndetësisë iu riktheu rreth 800 nënave çdo vit, strehën e parë të të porsalindurve të tyre, rrënjësisht të rikonstruktuar dhe ku janë instaluar edhe aparatura të reja mjekësore. Ambientet e reja u vizituan nga Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami. Kryeministri siguroi se investimet në shëndetësi do të vazhdojnë për ta modernizuar atë hap pas hapi, ndonëse transformimi i shëndetësisë është ndër proceset më të vështira edhe në vende shumë të zhvilluara. “Ju e dini më mirë se unë, këtu sikur shkonin në spital lufte, me dritaret e mbyllura me plastmasë, pa xhama e pa korniza. Tani është bërë një maternitet komplet europian. Patjetër do të vazhdojmë hap pas hapi me të tjerat. Është një kantier i madh shëndetësia dhe ka nevoja të jashtëzakonshme, por hap pas hapi,” u shpreh Kryeministri. Ndërkohë edhe në Sarandë kanë filluar punimet për ndërtesën e re të maternitetit. Në planin e investimit prej 320 milionë lekë përfshihet jo vetëm ndërtimi i godinës së re të shërbimit të obstetrikë-gjinekologjisë, por edhe pajisja e saj me aparatura të reja mjekësore. “Kushtet kanë qenë jashtëzakonisht të këqija. Një pjesë e lindjeve janë bërë në Tiranë. Investimi është rreth 2.2 milion dollarë, është financim i buxhetit të shtetit. Ndërkohë në pjesën tjetër do të bëjmë komplet kirurgjinë e re,” – u shpreh ministri Beqaj.  

Advertisement