Në një deklaratë të pasdites për mediat, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka bërë të ditur argumentet, mbi bazën e të cilave janë lënë sërish në “arrest shtëpiak” dy oficerë të lartë dhe të përkushtuar të Policisë së Shtetit, ndërkohë që ka sulmuar sërish gjyqtarin Arjan Aliaj, duke thënë se argumentet e dhëna prej tij nuk janë të denja as për një student juridiku.
“Dola sot para jush pas vendimit të sotëm të Arjan Aliajt për të lënë në arrest shtëpie dy punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët kanë kryer detyrën me përkushtim, duke pasur një kontribut jo të vogël në përforcimine bashkëpunimit me partnerët tanë, për të ndërtuar marrëdhënien kyc mes agjencive ligjzbatuese, luftën kundër kriminalitetit dhe terrorizmit. Gjyqtari Aliaj ka vendosur arrest shtëpie për Dukën me argumente skandaloze që nuk janë të denja as për një student juridiku. Për oficerin Duka thuhet se ka hartuar programin e trajnimit dhe ia ka paraqitur eprorit të tij mes të tjerash, ndërsa për Xhelilajn thuhet se ka hyrë në marrëdhënie me palën italiane të trajnimit me qejfin e tij dhe pa urdhrin e askujt”, tha ministri Tahiri.
Të tillë gjyqtarë si Aliaj, thotë ministri Tahiri, nuk kanë qenë ushtarë të bindur ndaj pushtetit as në kohën e komunizmit, duke përmendur sërish faktin që një gjyqtar i tillë ka liruar në të kaluarën vrasës dhe përdhunues, duke marrë mbrojtjen e politikës së asaj kohe, ndaj të cilës sot ai bën “qokat” e nevojshme – siç thotë Tahiri, – duke shfaqur edhe njëherë ethet që kanë prekur sistemin e drejtësisë në prag të miratimit të Reformës në Drejtësi.
“As në kohën e komunizmit, gjyqtarët nuk kanë qenë kaq ushtarë të bindur të pushtetit të asaj kohe. Flasim këtu për një gjyqtar që ka liruar vrasës dhe përdhunues, ndërsa sot ka marrë një vendim për t’i lënë në arrest shtëpie dy oficerë të Policisë së Shtetit, thjesht dhe vetëm për të bërë qokën e radhës ndaj politikës. Me të vetmin synim për t’u zënë sytë shqiptarëve nga rruga që kemi përpara drejt miratimit të Reformës në Drejtësi. Këta gjyqtarë janë të paarsimuar dhe të kapur peng nga sistemi politik që i ka mbrojtur kur kanë liruar vrasës dhe përdhunues, ndërsa sot përbëjnë provën më të qartë të etheve që kanë zënë drejtësinë përpara miratimit të reformës. Këto argumente janë një arsye më e fortë për ne për të ecur përpara në rrugën e miratimit të kësaj reforme, sepse gjyqtarë të tillë nuk janë të denjë për të dhënë drejtësi për qytetarët shqiptarë. Ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj çështjeje, jo vetëm për pretekstin që hapi këtë çështje, por për t’i shkuar deri në fund cilitdo që është majmur në sistemin e drejtësisë të fshehur në sqetullën e mbrojtjes politike sa herë kanë bërë padrejtësi”, deklaroi më tej Saimir Tahiri.