PD: Veliaj nisi planin për betonizimin e lulishtes pas stadiumit “Qemal Stafa”

Partia Demokratike ka denoncuar sot nisjen e zbatimit të planit të kryebashkiakut Erion Veliaj, për ta kthyer territorin pas stadiumit “Qemal Stafa”, nga lulishte që ishte parashikuar kur bashkia drejtohej nga Lulzim Basha, “në shesh ndërtimi për kulla betoni për bandat kriminale të lidhura me qeverinë”.
Prej dy muajsh, PD ka bërë publik planin e Veliajt për të dhënë këtë zonë në qendër të Tiranës për interesat e Hakmarrjes për Drejtësi dhe bandës së Emiliano Shullazit. Këshilltarët demokratë në Bashkinë e Tiranës, Spaho dhe Olli bënë sot thirrje për ndaljen e këtij projekti.
“Frika jonë është që pas parkimit të jepen leje pas leje për pallate shumëkatëshe në këtë zonë të qytetit,  e cila ka shumë nevojë për parqe dhe për një jetë shumë më cilësore për banorët e Tiranës. Së pari, kjo zonë, absolutisht cilësore po degradon dhe po lejohet tjetërsimi i saj në një masë fillestare dhe më pas bashkia do të ketë mundësinë të japë një leje për tjetërsim për ndërtim. Ne absolutisht kërkojmë që të bëjmë transparente të gjitha vendimet nga Bashkia e Tiranës përsa i përket destinacionit të kësaj zone”, tha Spaho.
“Gjërat ditë pas dite po bëhen gjithnjë e më të qarta. Veliaj, si noter përfundimtar i bandave të  qeverisë, i mafies së betonit të lidhura ngushtë me to, po tenton me zhvendosjen graduale të destinacionit nga lulishte drejt një elementi të betonizuar sikundër e ka shumë për zemër dhe shumë shpejt, në seli të bandave kriminale të lidhura me pushtetin, që do do të kenë pranë stadiumit me kullë ose kullës në stadium, kullën e tyre për të vijuar të qeta veprimtarinë kriminale”, tha Olli.

Advertisement