Kesha konfirmon se performanca e saj në Billboard Music Awards është anuluar dhe përgjigjja e saj do t’ju copëtojë zemrën. Të martën është thënë në media se Dr. Luke e ka shfuqizuar miratimin e tij ndaj Kesha-s për performancën e planifikuar në Billboard Music Awards. Mbrëmjen e djeshme, nëpërmjet një posti në Instagram, këngëtarja ka konfirmuar se nuk do të performojë në event. Dick Clark Production ka lëshuar një deklaratë ditën e martë, në të cilën thuhej se Kesha kishte pranuar ftesën për të performuar në BBMA, por mesa duket nuk është arritur një marrëveshje mes Dr.Luke dhe këngëtares. Edhe pse nga ana e të dyja palëve nuk kishte asnjë përgjigje, ka qenë Kesha ajo që ka reaguar e para: “Isha shumë e ngazëllyer që do të këndoja një “cover” të këngës “It ain’t me, babe” në nder të Bob Dylan në Billboard Awards këtë vit. Jam shumë e mërzitur dhe më vjen keq të them se nuk do të mund ta bëj këtë. Dua ta bëj të qartë se kjo performancë kishte lidhje me mua dhe atributin ndaj njërit prej kompozitorëve të preferuar dhe më të mirë të të gjitha kohërave dhe nuk kishte të bënte fare me Dr.Luke. Unë kurrë nuk do të përdorja një foto të tij, të flisja për të apo të aludoja për situatën time ligjore, në asnjë mënyrë. Unë thjesht doja të këndoja një këngë që e dua për të nderuar një artist të cilin e kam dashur gjithmonë. Faleminderit për mbështetjen e vazhdueshme!”- ka shkruar këngëtarja. Përpara se Kesha të kthente përgjigje negative, Dick Clark Productions njoftoi në një deklaratë se ka një marrëdhënie të gjatë dhe të qëndrueshme me Kesha-n dhe se shpresonin të arrinin një marrëveshje të tillë sa ta mbanin ende në këmbë këtë bashkëpunim me një shfaqje të saj më 22 maj në Billboard.