Sipas zëdhënësit të këtij institucioni, Leonard Olli, votat e numëruara deri tani tregojnë se “Aleanca e Ndryshimit” kryesuar nga Partia Demokratike në rang qarqesh ka siguruar një total votash prej 46.57 % votash, koalicioni “Bashkimi për Ndryshim” i kryesuar nga Partia Socialiste ka siguruar 45.72 % të votave në total dhe pas tyre renditet “Aleanca Socialiste për Integrim”, e kryesuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim me rezultatin prej 5.54 %. Olli shton më tej se ka përfunduar procesi i numërimit në Përmet, Gramsh, Burrel, Shijak etj, dhe se mbeten edhe 40 KZAZ të tjera në rang vendi për të përmbyllur gjithë procesin. Ndërkaq, Olli raporton se ka një bllokim të procesit në vendin e numërimit të votave në Rrogozhinë dhe sipas KQZ-së, arsyeja ka qenë që anëtarët e komisionit në pamundësi për të gjetur interpretim për disa fletë-votimesh, kanë ndërprerë votimet. “Ka patur vonesa për arsye të mostrajtimit në kohën dhe thellësinë e duhur të komisionerëve, duke mos harruar se janë prishur edhe materiale zgjedhore. E për të gjitha këto, duhet të merren vendime nga KQZ-ja, të cilat kanë koston e tyre kohore. Por ka patur disa ndalesa edhe për shkak të lodhjes së komisionerëve. Gjithsesi, në mesditë, në pjesën më të madhe të vendit, mendoj se do të kenë përfunduar numërimet”, sqaroi Olli.