Tiranë – PD reagon ndaj akuzave, nuk po bllokojmë situatën

“Jemi të sigurt për fitoren e Partisë Demokratike në rang vendi, por presim vendimin e KQZ-së dhe do ta pranojmë rezultatin”, ka thënë Bregu. Nga ana tjetër, ajo ka akuzuar Partinë Socialiste lidhur me rezultatet, duke pohuar se “deri dje thoshte mos u besoni sondazheve, tani u thotë mos u besoni votave”. Sa u përket akuzave që mbërritën nga selia rozë lidhur me bllokimin e situatës në disa grupe numërimi, Bregu ka bërë me dijeni se nuk ka ndodhur asnjë bllokim i procesit në Paskuqan dhe se ndërprerjet kanë qenë vetëm për shkak të lodhjes së komisionerëve. “Të gjitha problematikat që mund të vihen re në këto grupe, i duhen referuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Nuk duam të hyjmë në spiralen e situatave politike për të zhbllokuar situatën”, tha ajo. Ndërsa për zonën e Bushatit, ajo ka akuzuar në mënyrë direkte kandidatin për deputet, Tom Doshi, duke thënë se ai po ndërhyn ngaqe aty ka një përparim të Partisë Demokratike. “Të mos hedhin tym kot mbi procesin, PD është e angazhuar që ky proces të shkojë brenda standardeve. Ne do të bëjmë ç’është e mundur që ky proces zgjedhor të mbyllet sa më shpejt që të mos cënonen standardet”, tha ajo.

Advertisement