Komisioni i sigurisë, Noka: Tahiri të përgjigjet për pajisjen e përgjimit

Foto Arkiv

Komisioni i Sigurisë do të thërrasë në seancë dëgjimore Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, Drejtorin e Policisë së Shtetit Haki Cako si dhe kreun e Shërbimit Informativ Visho Ajazi Lika, lidhur me pretendimet e ngritura ditët e fundit për ekzistencën e një paisje përgjimi në policinë e shtetit. Nën kryetari i komisionit të Sigurisë, Flamur Noka ka kërkuar zbardhjen e rrethanave të hyrjes dhe përdorimit të kësaj paisjeje duke thënë se nëse këto pretendime vërtetohen janë një shkelje e rëndë e ligjit si dhe e të drejtave të njeriut. “Kërkojmë të zbardhen rrethanat se si ka hyrë kjo paisje dhe si përdoret ajo, në mënyrë të jashtëligjshme. Nuk mund ta lëmë të kalojë në heshtje, kësaj cështje duhet ti shkojmë deri në fund”, ka thënë ai. Në të njëjtën linjë është shprehur edhe përfaqësuesi i LSI-së, Luan Rama, por duke kërkuar informacione zyrtare lidhur me këtë cështje. “Unë e besoj këtë cështje sepse vjen nga burime mediatike, por refuzoj të besoj se Ministria e Brendshme ka vepruar kundra ligjit. Të kërkojmë informacion zyrtar për pajisjen e përgjimit. Nëse vërtet ka një pajisje të tillë përgjimi jemi përpara një skandali të madh.” Përfaqesuesit socialist janë larguar nga mbledhja e Komisionit të Sigurisë duke thënë se nëse për këtë cështje ka një hetim penal, komisioni nuk mund të vijojë me seancat dëgjimore.

Advertisement