“Ne jemi të interesuar që rezultati i zgjedhjeve të dalë një minutë e më parë”, deklaroi Berisha. Këtu ai komentoi faktin se Edi Rama akuzoi për një skenar nga ana e mazhorancës aktuale, për të bllokuar numërimin e votave. Berisha mohoi të ekzistojë një çështje e tillë. Kurse shtoi se “ajo që është për tu theksuar, është se kjo ditë është shumë e veçantë, sepse realisht procesi ka ecur më mirë se çdo herë tjetër më parë”. “Dua të përshëndes të gjithë ekipet që marrin pjesë në numërim dhe në vëzhgimin e procesit”, shtoi kreu i PD. Lidhur me rezultatin aktual, Berisha pranoi se ai është i ngushtë, me një rivalitet evident PD-PS, kurse u shpreh optimist se në fund të procesit të numërimit, pritet të dalë dhe rezultati final që nxjerr forcën politike të qeverisjes aktuale, si fituese të zgjedhjeve. Gjithsesi, Berisha u shpreh i gatshëm të pranojë çdo lloj rezultati, “cilido qoftë ai”. Kryetari i PD ka komentuar dhe deklaratën e vëzhguesve ndërkombëtarë, duke thënë se ai do të presë vetëm raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR, ndërsa shtoi se sinjalet e Brukselit lidhur me procesin zgjedhor, janë pozitive.