Berisha: Edescobari dhe qeveria, organizata më e rrezikshme kriminale

Kryeministri Edi Rama ka akuzuar sërish opozitën se po i shmanget reformës në drejtësi, por u ka kërkuar atyre miratimin e saj, pasi sipas tij “Shqipëria e meriton të çelë negociatat këtë vit për t’u bërë anëtar i BE-së”.
“Unë di të them lërini këtë valle dhe uluni t’i japim fund kësaj historie që po bëhet gjithmonë e më shumë një barrë e rëndë në kurriz të këtij populli e këtij vendi që meriton të çelë negociatat këtë vit për tu bërë anëtar i BE-së. Dhe në të njëjtën kohë patjetër, jo për hir të negociatave po për hir të të drejtës për të pasur drejtësi ta shohë të shembet këtë sistem para syve të vet siç e garanton kjo reformë”, deklaroi kryeministri Edi Rama.
Rama vijoi më tej se reforma në drejtësi bëhet cilësore duke punuar së bashku. “Ju jeni ata që i shmangni reformës në drejtësi si djalli temjanit dhe nxirrni vetëm pretekste, alibi, përrallë vetëm për të shtyrë reformën në drejtësi. Nuk ka rëndësi koha po cilësia. Cilësia? Po si do bëhet më cilësore reformat në drejtësi duke mbyllur derën si një shishe vere e duke e lënë të vjetrohet dhe të përmirësohet vetë. Hajde pra ulemi në tavolinë e punojmë bashkë për cilësinë ju i ikni se bën dy gjëra. E para e shemb piramidën e sotme të sistemit të drejtësisë dhe të gjithë strukturat e mekanizmat që ju sot i kontrolloni bien dhe ndërtohet sistem i ri ku kapaciteti i influencvës politike dhe vendimmarrjes përmes pazareve të partive politike minimizohet”, vijoi Rama.
Kryeministri Rama ka reaguar gjithashtu edhe ndaj lajmeve të fundit për trafikun e drogës, duke i quajtur sulmet e PD të paskrupullta. Ndërkohë, çështja e pronave ka qënë objekt debati mes tij dhe kreut republikan, Fatmir Mediu. Ish-kryeministri Berisha, duke marrë fjalën në Parlament, e ka cilësuar qeverinë Rama si organizatën kriminale më të rrezikshme në rajon e më gjerë.
Ai ka bërë përgjegjës vetë kryeministrin, si drejtues të kësaj organizate, duke e lidhur atë me grupin e drogës të shkatërruar në ditët e fundit nga policia greke.
“Kreu i Meduzës nuk pati kurajo të qëndronte dhe të dëgjonte përgjigjet ndaj problemeve që ngriti dhe akuzave që adresoi. Unë kisha një fjalë për Edescobarin, e ka këtë etiketim për Ballkanin, por do ta ketë për të gjithë Europën”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, “ky është shembulli i organizatës kriminale, i qeverisë kriminale më të rrezikshme të planetit”.
“Numri i shqiptarëve që ju shohin juve si organizatë kriminale është me qindra e me mijëra. Por shqiptarët do të çlirohen nga kjo organizatë kriminale”, ka thënë Berisha.
Më tej ish-kryeministri ka akuzuar ish-deputetin Koço Kokëdhima për lidhje me Klemend Balilaj, i konsideruar nga policia greke si “baroni i drogës”.
Ai i ka bërë thirrje prokurorisë që të marrë nën kontroll tabulatët e telefonatave të kryeministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Advertisement