Gjosha: Shqipëria ka nevojë për mbështetje dhe ekspertizë për integrimin

Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, priti në një takim Delegacionin bullgar të kryesuar nga Dzhema Grozdanova, Kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme. Procesi i integrimit ishte në fokus të këtij takimi ku delegacioni bullgar shprehu gatishmërinë për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së. Bashkëbiseduesit u ndalën te vështirësitë e procesit, sfidat që ka përpara Shqipëria, por edhe eksperiencat më të mira që mund të përfitojë nga vende që kanë kaluar më herët këtë proces. Znj. Grozdanova nënvizoi se do të jetë cilësia dhe ritmi i reformave që do të përshpejtojnë rrugën e Shqipërisë drejt bashkimit europian. Ajo përshëndeti hapat përpara me reformën në drejtësi, duke theksuar se kjo reformë do t’i mundësojë Shqipërisë çeljen e negociatave me Bashkimin Europian, që është edhe faza më e rëndësishme e procesit. Ministrja Gjosha, nga ana e saj shprehu falenderimet për mbështetjen që Bullgaria i ka dhënë Shqipërisë duke theksuar se Shqipëria ka nevojë për mbështetje nga partnerët e saj për procesin e integrimit, si dhe ekspertizë në hapat që do të ndërmarrë në vijim. Ministrja informoi delegacionin se qeveria shqiptare është e angazhuar maksimalisht për përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe, duke pohuar se reforma në drejtësi mbetet thelbësore për të avancuar me axhendën europiane.

Advertisement