Tiranë – PS thirrje qytetarëve për të votuar

Zëdhënësja e PS, Armela Imeraj tha se “duke ndjekur me shumë vëmendje procesin në të gjithë Shqipërinë dhe duke falënderuar të gjithë ata që kanë votuar deri tani, vazhdojmë të këmbëngulim në thirrjen tonë për çdo zgjedhës e zgjedhëse që të shkojë të votojë”. Partia Socialiste thotë se i ka marrë të gjitha masat për vëzhgimin e imët të procesit në të gjithë territorin dhe për mbrojtjen e çdo vote. “Në këto orë të mbetura çdo votues e votuese që ende nuk ka votuar duhet t’i drejtohet kutisë së votimit për të vendosur për të ardhmen e vet”. Imeraj theksoi se “Shqipëria sot duhet të dalë e fituar dhe sa më e madhe të jetë pjesëmarrja aq më e madhe do të jetë edhe fitorja e atdheut tonë në këtë ditë kur gjithë bota demokratike pret nga ne të tregojmë se jemi pjesë e saj”.