Meta për reformën në drejtësi: Të ndjekim rekomandimet e ERALIUS

Gjatë konferencës “Drejtësia në udhëkryqin e transformimit” me studentet e Universitetit “Luarasi”, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, theksoi rëndësinë e mbylljes së procesit të reformës në drejtësi përpara sezonit veror, duke theksuar se shqiptarët janë të lodhur nga debatet. Kryeparlamentari Meta u shpreh se reforma është çështja kryesore e debatit, protagonizmit dhe angazhimit, ndaj nevojitet që të kurorëzohet sa më shpejt. Ai tha se për momentin ka një protagonizëm politik kundërvënës shumë të madh për diferenca shumë të vogla. “Jam i bindur se baza e konsensusit është shumë më e gjerë se sa diferencat që janë pretekste. Më shumë se 90% e çështjeve janë të dakordësuara, megjithëse ka edhe çështje të cilat palët mund t’i lexojnë ndryshe, por në politikë jemi”, tha kryeparlamentari. Ai shtoi se për pikat ku nuk ka konsensus, do të pranohen rekomandimet e ndërkombëtarëve. “Aty ku nuk arrihet mirëkuptimi apo konsensusi të gjithë të pranojmë rekomandimet e EURALIUS dhe OPDAT. Kjo i hap rrugë edhe anëtarësimit, përndryshe axhenda e integrimit do të vonohet.”, shtoi ai. Kreu i Kuvendit siguroi se do të bëjë ç’të jetë e mundur për të nxitur një klimë bashkëpunuese me qëllim përmbylljen sa më shpejt të procesit përpara verës, për të përcjellë ndër të tjera mesazhin se Shqipëria është një vend që e do procesin e integrimit.

Advertisement