34 parti, me nga 4300 kandidatët për deputetë, kanë hyrë në garën elektorale të grupuar në 4 koalicione kryesore, dy në spektrin e majtë dhe dy në spektrin e djathtë. Koalicionet janë Aleanca për Ndryshimi, e drejtuar nga PD e kryeministrit Sali Berisha; Bashkimi për Ndryshim, drejtuar nga PS, me kryetar Edi Ramën; Aleanca Socialiste për Integrim, drejtuar nga LSI me kryetar Ilir Metën dhe Poli i Lirisë, drejtuar nga LZHK me kryetar Dashamir Shehin. Zgjedhjet do të ndiqen nga afër nga 5000 vëzhgues vendorë dhe 450 vëzhgues ndërkombëtarë. Vlerësimi për standartet e tyre do të jepet nga vëzhguesit e ODIHR-it, të ciliët të nesër do të nxjerrin edhe raportin paraprak ditën e hënë. Orari zyrtar i hapjes së qendrave të votimit është ora 07.00 ndërsa ai i mbylljes është ora 19.00. Vendi është ndarë në 12 rajone dhe votat do të llogariten në mënyrë proporcionale brenda për brenda secilit rajon. Në gjithë vendin do të ngrihen 4800 qendra votimi. Sipas afatit ligjor, numërimi i votave i cili do të bëhet në 66 qendra të posacme, duhet të mbyllet brenda orës 17 të ditës së hënë. Ndërsa komisioni qëndror i zgjedhjeve ka afat 48 ore që nga momenti i marrjes së materialeve, për të nxjerrë rezultatin. Ministria e Brendshme thotë se ka marrë të gjitha masat për të siguruar rendin dhe qetësinë gjatë ditës së sotme, ndërsa ka vënë në dispozicion të Komisionit Qendror Zgjedhor dhe KZAZ-ve në vend numrin e kërkuar të forcave të rendit. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani deklaroi dje në një takim ku u akredituan vëzhguesit vendorë se gjithcka është gati se dhe cdo informacion dhe rezultat nga Qendrat e votimit do të transmetohet në kohë reale. Më poshtë gjeni keni të dhënat e plota mbi bazë qarku, për numrin e Zonave të Administrimit Zgjedhor (ZAZ), të votuesve dhe të Qendrave të Votimit. Në total, janë regjistruar për të votuar, 3 084 261 zgjedhës. BERAT 4 ZAZ 298 QV, 169.423 zgjedhës; DIBER 3 ZAZ 314 QV, 122.287 zgjedhës; DURRES 4 ZAZ 352 QV, 289.856 zgjedhës; ELBASAN 6 ZAZ 550 QV, 299.663 zgjedhës; FIER 7 ZAZ 488 QV, 352.423 zgjedhës; GJIROKASTËR 3 ZAZ 285 QV, 121.683 zgjedhës; KORÇË 6 ZAZ 421 QV, 264.492 zgjedhës; KUKËS 3 ZAZ 217 QV, 72.941 zgjedhës; LEZHE 3 ZAZ 244 QV, 148.491 zgjedhës; SHKODËR 5 ZAZ 413 QV, 239.578 zgjedhës; TIRANË 16 ZAZ826 QV, 725.446 zgjedhës; VLORË 6 ZAZ 345 QV, 277.978 zgjedhës.