Shqipëri – Mijëra emigrantë kthehen për të marrë pjesë në votime

Por edhe nga kufiri ujor me Italinë, të dhënat flasin për një numër të lartë emigrantësh të cilët po zbarkojnë nga tragetet për në tokën shqiptare. Të dhënat konkrete flasin për një hyrje me 4500 emigrantë gjatë 12 orëve të fundit në pikën kufitare të Kakavijës dhe 4200 të tjerë që kanë hyrë në tokën shqiptare përmes Kapshticës, me 840 mjete. Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës, Gentian Mullai dje pohoi se numri i emigrantëve që kanë hyrë nga Greqia në pikat kufitare të Jugut gjatë kësaj jave arrin në 20 mijë. Ndërkaq, në Portin e Durrësit mësohet se dje janë ankoruar 5 tragete të linjës Bari-Durrës, me të cilat kanë udhëtuar 680 pasagjerë. Përveç qindra automjeteve të emigrantëve, tashmë fluksi më i madh i ardhjeve të tyre po bëhet me autobusë. Nga policitë kufitare të dy vendeve janë zhvilluar takime gjatë ditës së sotme për të lehtësuar lëvizjen e emigrantëve në kufi, me shtimin e sporteleve për të përballuar fluksin që pritet të ketë pikun ditën e sotme.