Tiranë – Policia bllokon ndërtimin e skenës për mitingun përmbyllës të PS

Dhjetëra forca policore nuk lejojnë ngritjen e skenës së mitingut përpara selisë së Kryeministrisë. Partia Socialiste denoncon skandalin si presion të qeverisë për të mos lejuar mitingun ndërsa policia pretendon se skela për mitingun duhet të ngrihet vetëm gjatë ditës së sotme. Sipas PS-së leja për ngritjen e skenës është marrë që në datën 17 qershor dhe theksojnë se veprimet e policisë janë përpjekje për të bllokuar pregatitjet e mitingut përmbyllës të socialsitëve , mbrëmjen e nesërme. Mësohet se në vendngjarje ka patur debate të shumta mes forcave të policisë dhe anëtarëve të Partisë Socialsite të cilët janë detyruar të ndërpresin punimet për ngritjen e skelës. Sipas policisë leja për fillimin e pregatitjeve për mitingun e madh përmbyllës të fushatës është dhënë për në datën 26 qershor. Ndërkaq në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku është planifikuar mitingu i Partisë Socialsite kanë mbërritur shumë përfaqësues të selisë rozë. Përfaqësuesit e PS-së kanë bërë të ditur se policia ka ushtruar presion ndaj punonjësve të ngritjes së skelave duke i kërcënuar se do të shoqërohen në komisariat nëse nuk zbatojnë urdhërin. Ndërkohë përfaqësuesit e ODIHR janë interesuar për incidentin duke kontaktuar me përfaqësues të PS-së dhe disa prej tyre kanë mberritur në vendngjarje.

Advertisement