Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, zhvilloi sot një takim me përfaqësues të shoqërive të tregtimit me shumicë të gazit të lëngshëm. “Është shumë e nevojshme që ky proces të disiplinohet akoma në favor të mbrojtjes së konsumatorit por edhe në favor të biznesit të ndershëm. Jemi dëshmitarë që shpesh herë bombolat mbushen në mënyrë ilegale dhe kjo është një tregti e paligjshme, me evazion fiskal por humbasin mbi të gjitha konsumatorët”, u shpreh ministri Gjiknuri. “Stacionet e shitjes së bombolave duhet të ngrihen. Të gjitha kompanitë sh.a, qoftë ato që kanë stacione karburanti të ngrenë pikat për tregtimin e bombolave. Do të ketë ndëshkime të ashpra për ata që nuk respektojnë tregtimin e bombolave të gazit në mënyrë të rregullt”, paralajmëroi Gjiknuri. Duke ju drejtuar përfaqësuesve të shoqërive të tregtimit me shumicë të gazit, Ministri Gjiknuri tha se ato kanë përgjegjësinë tashmë për të ndjekur deri në fund sigurinë e bombolave.