Rama: Mesazhi i Uashingtonit, askush të mos pengojë reformën në drejtësi

Kryeministri Edi Rama, duke drejtuar mbledhjen e grupit parlamentar socialist, ka deklaruar se mesazhi kryesor i marrë nga Uashingtoni zyrtar gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Obama ka qenë realizimi i reformës në drejtësi.
“Përcaktimi ynë i qartë është se kjo reformë përbën në sytë e partnerit tonë strategjik një test të seriozitetit të marrëdhënieve me SHBA, sepse SHBA mbështesin fuqishëm shtetin shqiptar dhe duan që reforma në drejtësi të mos pengohet nga askush për asnjë arsye”, ka deklaruar Rama.
Sipas tij, gjatë takimit me presidentin Obama dhe zëvendësin e tij Joe Biden është shprehur mbështetja e shtetit amerikan për reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare.
“Nuk ka dyshim që sot marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara janë më të forta se kurrë. Takimi i javës së shkuar ka konfirmuar besimin e partnerëve tanë strategjikë ndaj angazhimit tonë në marrëveshjen strategjike dhe në rrugën e reformave që bëjnë shtet”, ka thënë Rama.
Ai ka theksuar se një vlerësim i veçantë i administratës amerikane ka ardhur për përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, ndërsa ka shtuar se, “marrëveshja e nënshkruar mes drejtorit të FBI-së dhe ministrit të Brendshëm Tahiri shënon një hap të rëndësishëm në rrugën e konsolidimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, si dhe tregon konsideratën e administratës amerikane për Policinë e Shtetit.

Advertisement