Ja si do duket sheshi ‘Skënderbej’

Bashkia e Tiranës ka nisur këtë të martë të parën e seancave dëgjimore me qytetarët për t’i njohur ata me projektin për transformimin e sheshit Skënderbej.

Në fjalën e tij, kryetari Erion Veliaj tha se, ky është një projekt që nis pas 8 muajsh përgatitje dhe është shprehur i vendosur për ta çuar përpara, por edhe i vetëdijshëm se do të ketë kundërshtime.

Advertisement

Duke paraqitur detajet e projektit, Veliaj ka saktësuar se, “sheshi do të kthehet në një pedonale dhe do t’u ofrojë mundësinë banorëve që të shkëputen për një moment nga jeta e përditshme e qytetit”.

“Ky shesh do të përfaqësojë unitetin kombëtar, pasi do të ketë elementë nga të gjitha trojet shqiptare”.

“Këtyre do t’i shtohet gjelbërimi me 35 mijë lule dhe 1 mijë shkurre të larta e të ulëta, që do ta kthejnë në një minipark”.

I pranishëm në këtë ceremoni në cilësinë e ish-kryetarit të bashkisë, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se, “bëhet fjalë për një ndërhyrje dhe transformim të jashtëzakonshëm në zemrën e Tiranës, që është dhe zemra e Shqipërisë”.

“Bëhet fjalë për vazhdimin krijues të një projekti të nisur vite më parë për përmbushjen e një ambicjeje legjitime, që Tirana të ketë një shesh i cili në hapësirën e trashëguar të sheshit të periudhës totalitare t’u ofrojë të gjithë banorëve e vizitorëve një pikë referimi të palëvizshme”.

Shefi i qeverisë shtoi më tej se, “projektet tona kritikohen nga një dritëshkurtësi”, duke iu referuar kështu kundërshtimeve nga radhët e opozitës.

 

Të dhëna

-11 lulishte të vogla

-Gurë natyralë në formën e pllakave të gurit me trashësi 10-12 cm, nga të gjitha trojet e Shqipërisë (Tropoja, Kukësi, Bilishti, Librazhdi, Tirana, Korça, Gjirokastra, Saranda, Berati, Vlora, Kruja, Bulqiza, Prizreni, Erseka, Skrapari)

-41 mijë m2 sipërfaqe sheshe dhe trotuare

-Do të mbillen 900 pemë të larta dekorative

-520 drurë frutorë

-954 shkurre të larta dekorative

-4400 shkurre të ulëta

-35 mijë rrënjë lulesh